• 11,99 €

Publisher Description

Ky roman i ndërtuar si “tri romane në një” me novelat “Eleonora”, “Nata e gjatë e Alberto Savianit” dhe “Burri që donte të vdiste” është i ndërtuar në konceptin e kohës, si një kohë relative, pasi njeriu përjeton ngjarje të tilla që koha e gjatë shpesh here shkrutohet aq shumë saqë ngjan se ka ndodhur para pak çastesh dhe se marrëdhëniet vazhdojnë përsëri aty ku ishin ndalur shumë kohë më parë. Fate njerëzore, njerëz të dashuruar dikur, të cilët rigjejnë njëri - tjetrin pas shumë kohësh.
Në njëfarë mënyre koha sot është e përcaktuar. Eshtë një kohë e botës, e lëvizjes së yjeve, e sistemeve qiellore, një kohë e zhvillimit, e jetës, e ripërtëritjes. Lëvizje në kohë, ngjarje në kohë, e megjithatë në botën e shpirtërave duket se kjo kohë me një drejtim të caktuar jeton në një gjendje tjetër, jo fizike. Ajo herë zgjatet në kufijtë e së përjetshmes apo është konstante, herë-herë shkurtohet. Madje dhe historia e një dite apo e një jave merr dimensionet e të gjithkohëshmes, një vlerë të gjithkohëshme apo absolute siç e gjejmë tek filmi “The Bridges of Madison county” me Meryl Streep dhe Clint Eastwood. Pra ajo është relative në sajë të përcaktimit shpirtëror. Ç’dimensione kishte koha për Ana Frankun në atë dhomë të fshehtë e të errët të izolimit? Ç’dimensione kishte koha për Franc Kafkën apo për Arthur Rimbaud që pas pesë vjet së shkruari poezi ai humbi në shkretëtirat e Adenit aq sa kur ai vdiq, poetët parnasienë pyetën: vallë Rimbaud paska qenë gjallë deri tani?
Ç’dimension kishte koha për Migjenin tonë apo për poetin francez Robert Desnos në kampin e Terezinës që kockë e lëkurë nuk arriti ta kapërcente atë kamp në ditët e çlirimit? Edhe koha e udhëtimeve të Odiseut apo e tregimeve të tjera homerike është po ashtu relative. Ndodh nganjëherë që njeriu të harrojë kohën në të cilën jeton, kohën që s’ka kohë edhe pse akrepat e kohës fizike ecin normalisht në të njëjtin drejtim. Stinët ndërrohen, vitet dhe shekujt gjithashtu. Ka njerëz që fizikisht jetojnë një fragment të shkurtër të kohës së jetës së tyre dhe e lënë këtë botë sikur kanë jetuar një shekull. Të tjerë jetojnë me të ardhmen, të tjerë me të shkuarën. Marsel Prust ishte gjithnjë në “kërkim të kohës së humbur”. Pikërisht në kërkim të kësaj kohe ai ndërtoi monumentin e tij letrar edhe pse kohën e tij, atë që jetonte, ai nuk e jetonte realisht, ai ishte në kohën tjetër, atë të shkuarën, kohën e personazheve të pikëtakuar në rini të tij, duke zbuluar kështu psikologjinë e një kohe që nuk jetonte më, por që jetonte me aromat, ngjyrat, ndjesitë për muzikën, zërat, heshtjet, hijet, në gjithçka delikate të salloneve letrare, të kësaj bote siç ishin dhe pikturat e Wermeer që e bënin të humbte vetëdijen.
Duke medituar për kohën për një çast imagjinoj një tablo surealiste me shumë sahate të mëdhenj ku akrepat lëvizin në një mënyrë të ç’rregullt. Ka epoka ku ndodhin ngjarje të mëdha tronditëse dhe vetëm ato mbeten në kujtesën e humanitetit, ka epoka të tjera ku nuk ndodh asgjë, ku akrepat e kohës duket se nuk kanë ecur dhe s’ka mbetur asgjë në kujtesën njerëzore, siç ka ndodhur për Shqipërinë gjatë pushtimit të gjatë osman. Koha lëviz e shket sipas perceptimit tonë, pulsimi të shpirtit. Dhe ndodh jo rrallë që mund të themi: ç’kohë e gjatë, ç’kohë e keqe dhe e mbrapshtë, ç’kohë e madhërishme apo të pyesim veten: në ç’kohë jetojmë?
Tri pjesë romaneske të këtij libri ku personazhet pikëtakojnë të kaluarën, rijetojnë me të dhe dalin nga skena me një shpirt tjetër që thua endet në ajër dhe me një dëshirë për të rijetuar kohën që ka mbetur...

GENRE
Fiction & Literature
RELEASED
2020
May 9
LANGUAGE
SQ
Albanian
LENGTH
261
Pages
PUBLISHER
Luan Rama
SIZE
250.3
KB

More Books by Luan Rama